VIDEO/ Zyrtarizim si në film Hollivudi, prezantohet Enea Mihaj: E ardhmja është këtu!

Ashtu siç pritej, Enea Mihaj është zyrtarisht një futbollist i PAOK-ut në kampionatin grek dhe sot është prezantuar si futbollisti më i ri i kampionëve në fuqi. Mbrojtësi 21-vjeçar i Kombëtares shqiptare, ka hedhur një hap të madh në karrierë, duke e mbyllur aventurën me Panetolikosin, skuadër te e cila edhe shkëlqeu.

Mihaj ndiqej prej kohësh nga PAOK-u dhe jo vetëm ndërkohë që në Greqi konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë dhe pritet që me bardhezinjtë e Selanikut të shkëlqejë. Besimi te qendërmbrojtësi shqiptar është i madh ndërkohë që edhe prezantimi i tij është bërë në një mënyrë mjaft unike.

Mihaj është prezantuar si një yll Hollivudi, ku fillimisht merr një mesazh që kërkohet nga PAOK-u dhe më pas, udhëton në drejtim të zyrave për të firmosur kontratën. “E ardhmja është këtu, Mihaj është këtu”, shkruhej në videon, dedikuar mbrojtësit shqiptar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/