VIDEO / Zhgënjim i madh për Joviç, Gjermania i jep leksion me 6 gola yllit të ri të Realit

Kampionati Europian për moshën U21 që po zhvillohet në Itali, ka parë sonte Gjermaninë të konfirmojë statusin e saj si një prej pretendenteve kryesore për të fituar turneun. Skuadra e drejtuar nga Stefen Kuntz ka masakruar me shifrat 6-1 Serbinë e Luka Joviç, sulmuesit të ri që iu bashkua pak javë më parë Real Madrid.

Gjermanët kanë dominuar plotësisht duelin, duke shënuar me lehtësi në portën serbe me anë të Rihter, Valdshmid (3 gola), Dahud dhe Majer. Goli i vetëm për përfaqësuesen serbe u shënua nga Zivkoviç me penallti, pak minuta pasi Joviç kishte lënë fushën e lojës, dukshëm i zhgënjyer me paraqitjen e bashkëkombësve të tij.

Një leksion që afron Gjermaninë me vazhdimësinë e mëtejshme në turne dhe që thuajse eliminon Serbinë që pas ndeshjes së dytë, pasi ajo mbetet në kuotën e 0 pikëve. /vipsport.al/