VIDEO/ Tirana e ka ekspertin e penalltive ne skuadër, Muçi shënon supergola ndaj Kosovës

Shqipëria U19 ka arritur të marrë një fitore edhe ën ndeshjen e dytë miqësore duke mundur me rezultatin e thellë 4-1 Përfaqësuesen e Kosovës. Ashtu si edhe në ndeshjen e parë, edhe në takimin e dytë ka shkëlqyer dyshja Broja-Muçi ku të dy kanë shënuar nga një dygolësh.

Sulmuesi i talentuar i Tiranës, ka arritur që me një gjakftohtësi prej veterani të konvertojë në gol një penallti duke i dhënë sinjale të qarta trajnerit bardheblu Ardian Mema. Goditja e penalltive ka qenë këtë sezon pika më e dobët e Tiranës duke qenë se janë humbur një numër i konsiderueshëm penalltish dhe vetë Mema tha se nuk e ka dikë që të shënojë penalltitë.

Mesa duket, eksperti i penalltive është në skuadër dhe këtë e tregoi Muçi me fanellën e Shqipërisë. Sakaq, Muçi ka shënuar edhe një tjetër gol në këtë takim ku pasi arriti të rikuperonte një top pranë vijës anësore, ka parë daljen e portierit dhe ka goditur me një parabol nga distanca duke e ndalur topin në rrjetë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/