VIDEO / Shaqiri: Gjatë paradës mbaja Klop që të mos rrëzohej nga autobusi

Pamjet e Jurgen Klop që pinte birra në fund të autobusit në paradën e festës së fitores së Champions, kanë bërë xhiron e botës, ashtu si momenti kur trajneri gjerman rrezikoi të rrëzohej pasi humbi ekuilibrin. Xherdan Shaqiri, në një intervistë të dhënë për mediat zvicerane, ka zbuluar se në pjesën më të madhe të kohës gjatë kësaj parade, ishte aty përkrah Klop, duke mbajtur trajnerin që të mos humbte ekuilibrin.

“Njerëzit e panë se çfarë do të thoshte ky trofe për njerëzit në Liverpul, ky ishte triumfi i parë pas 14 vitesh, e pabesueshme ajo që ndodhi për mua, nuk do ta harroj gjithë jetën këtë paradë. Festimi i Klop në autobus? Unë e mbajta pak që të mos rrëzohej, kam qëndruar pranë tij gjatë të gjithë kohës. Unë vetë nuk kam pirë asgjë, por të tjerët në autobus po”, tregoi Shaqiri.

Nga festa me Liverpulin, Shaqiri përfundoi në fushë ndaj Portugalisë, në ndeshjen e humbur 3-1 në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. “Mu desh që të përqendrohesha, që të ktheja përsëri paraqitjet e mira. Nuk ishte edhe aq e thjeshtë pas aq shumë gjërave në Liverpul. Por mendoj se ia dola, besoj se bëra ndeshje të mirë. Kishim mbajtje topi dhe shanse, por pastaj duhet të tregohesh efecient, si Kristiano Ronaldo.

Ai nuk bëri ndeshjen më të mirë të mundshme. Por në fund shënoi 3 gola dhe e vendosi atë, kjo tregoi përsëri si ai është më i miri në botë bashkë me Mesin. Shpesh në futboll skuadra më e mirë humbet”, deklaroi mesfushori. /vipsport.al/