VIDEO/ Ngre siparin Kupa e Amerikës, Brazili me Kutinjon likuidojnë Bolivinë

Ka startuar zyrtarisht në orët e mesnatës Kupa e Amerikës ku ndeshja hapëse ka qenë ajo mes Brazilit dhe Bolivisë e luajtur në stadiumin “Estadio do Morumbi” në Sao Paulo. Brazilianët e kanë nisur këtë turne madhor në mënyrën më të mirë, duke triumfuar në debutim ndaj Bolivisë me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke marrë në këtë mënyrë kryesimin e grupit.

Vendimtar në këtë takim, ka qenë Filipe Kutinjo i cili ka arritur të realizojë dy gola ku fillimisht në minutën e 50 ka shndërruar në gol një penallti dhe vetëm 3 minuta më vonë ka arritur të dyfishojë rezultatin. I aktivizuar në minutën e 81, 23-vjeçari Everton ka arritur të gjejë edhe golin e tretë për Brazilin në minutën e 85 duke vulosur kështu fitoren.

Kjo fitore e mban Brazilin në vendin e parë dhe pret i qetë ndeshjen mes Perusë dhe Venezuelës, që do të luhet mbrëmjen e sotme duke nisur nga ora 21:00. /Erjon Allaraj-VipSport.al/