VIDEO/ Mavraj zyrtarizon ekipin e ri në Bundesliga 2, mbrojtësi rikthehet te ekipi i vjetër

Mërgim Mavraj ka mbyllur aventurën me Ingolshtadin. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, ka lënë pas aventurën me Ingolshtadin ku u aktivizua në merkaton dimërore, ndërsa klubi zbriti një kategori më poshtë. Ndërkaq, ditën e sotme, Mavraj ka zyrtarizuar aventurën e tij të re, teksa 33-vjeçari ka firmosur për skuadrën e Grojther Fyrth në Bundesliga 2.

Në fakt, ky është një rikthim për Mavraj te kjo skuadër, pasi më parë është aktivizuar me Fyrthin edhe përgjatë viteve 2011 deri në 2014, duke regjistruar 119 paraqitje për këtë skuadër. Mavraj shprehet se nuk është transferuar për të mbyllur karrierën, teksa shtoi se u bind nga drejtuesit. “ Nuk kam ardhur për të mbyllur karrierën time këtu. Drejtuesit e klubit më bindën me projektin dhe lojën që duam të aplikojmë. Dua ta ndihmoj skuadrën për këtë”, tha Mavraj.

Ndërkohë, edhe drejtori sportiv i klubit Rashid Azuzi tha se Mavraj do ta ndihmoj skuadrën me eksperiencën e tij, ndërsa shtoi se mbrojtësi ka një personalitet të fortë dhe do të luaj një rol të rëndësishëm edhe për të rinjtë. Nuk munguan komplimentet as nga trajneri i cili shprehet se Mavraj është një lojtar i cili pozicionohet mirë dhe i fortë në luftën ajrore.

/Egi Çabeli-VipSport.al/