VIDEO / Holanda përmbys Anglinë dhe gjen finalen e Ligës së Kombeve, theu një tabu 112 vjeçare

Holanda kishte 112 vite që nuk shënonte 2 gola pas 90 minutave. Ka ndodhur sot, përballë Anglisë në suksesin 3-1 dhe i ka dhënë tulipanëve një biletë për në finalen e Ligës së Kombeve ku të dielën do të diskutojnë trofeun ndaj Portugalisë.

E sotmja ishte një ndeshje shumë më spektakolare se gjysmëfinalja e parë mes Portugalisë dhe Zvicrës, pasi skuadrat zhvilluan një ndeshje të hapur e duke krijuar e shpërdoruar shumë raste para dy portave. Anglezët mbyllën pjesën e parë në avantazh falë penalltisë së Rashford pas gabimit të De Ligt.

Por ishte pikërisht djaloshi 19-vjeçar ai që ktheu përsëri sfidën, me golin e tij në minutën e 73-të, duke barazuar shifrat, në një pjesë të dytë ku holandezët kishin dominuar dukshëm. Anglia u zgjua në minutat e mbetura dhe gjeti golin me Lingard, por ai u anulua pas ndërhyrjes së VAR.

Kësisoj, sfida shkoi në shtesë, ku holandezët u treguan cinikë dhe shfrytëzuan dy gafa të pafalshme të prapavijës angleze për të gjetur rrjetën fillimisht me autogolin e Uollker e pastaj me Promes, duke vulosur një sukses 3-1 që i afron me trofeun e parë të Ligës së Kombeve. Ndërsa për Anglinë vazhdon pritja prej më shumë se 5 dekadash për të siguruar një trofe e si në Botërorin e vjetshëm, duhet të kënaqet me ndeshjen për vendin e tretë.

Holandë-Angli 3-1
73′ De Ligt, 97′ (ag) Uollker, 114′ Promes / 32′ Rashford 

Holanda: Cilesen; Damfris, De Ligt, Van Dajk, Blind; De Run, F. de Jong, Vijnaldum; Bergvijn, Depah, Babel.

Anglia: Pikford; Uollker, Stouns, Meguajr, Çilluell; Rajs, Delf, Barklei; Sterling, Sanço, Rashford.