VIDEO/ Hap fals i Argjentinës, Mesi me shokë dorëzohen para Kolumbisë

Ka filluar në mënyrën më të keqe të mundshme kompeticioni i Kupës së Amerikës për Argjentinën. Skuadra e trajnerit Skaloni, është dorëzuar përballë Kolumbisë duke u mposhtur me rezultatin e pastër 2-0. Nuk mundi të bënte dot asgjë Mesi për të ndryshuar fatet e takimit.

‘Pleshti’ u kontrollua dhe u bllokua përgjatë gjithë ndeshjes nga kundërshtarët, ndërsa më mirë nuk bënë as yjet e tjerë të Argjentinës në fushë si Aguero apo Di Maria. Nga ana tjetër, ‘Los Cafeteros’ shfrytëzuan në maksimum shanset e paraqitura dhe në minutën e 71 kaluan në avantazh me Martinez, ndërsa 4 minuta para fundit ishte sulmuesi i Atalantës, Duvan Zapata që mbylli përfundimisht llogaritë e takimit.

Nis kështu me një malore Kupa e Amerikës për Argjentinën, e cila tashmë duhet të bëjë autokritikë në ndeshjen pasardhëse ndaj Paraguajit, ku kërkohen me çdo kusht tre pikët, pasi ndryshe rrezikojnë kualifikimin në raundin tjetër.

/Egi Çabeli-VipSport.al/