Vetëm komentatore femra në Botërorin e Francës, BBC akuzohet për seksizëm

Për ndeshjen Angli-Skoci janë shfaqur në lidhje direkte një gazetare dhe tre ish-futbolliste, duke sjellë reagime të ndryshme. Bashkëshortja e sulmuesit Xhimi Vardi ka ironizuar në Tuiter: “Çfarë ka ndodhur me barazinë?”

BBC është akuzuar për seksizëm në krahun e kundërt, pas zgjedhjes për analizën e ndeshjes mes Anglisë dhe Skocisë në Botërorin e femrave në Francë nga katër femra. Kuptohet, nuk janë femra të rastësishme aty. Në krah të gazetares Gebi Logan ishin tre ish-futbolliste, anglezja Aleks Skot, skocezja Gema Fai dhe amerikania Hop Solo.

Por mes spektatorëve, sipas “Sun”, ka edhe nga ata që janë ankuar për mungesën e gazetarëve apo komentatorëve meshkuj. Midis tyre edhe Rebekah Vardi, bashkëshortja e sulmuesit të Leiçesterit, Xhimi Vardi. Ajo ka postuar në Tuiter një foto me katër femrat që po komentonin dhe ka shkruar: “Uhm…çfarë ndodhi me barazinë? I mbështes totalisht femrat, në çdo aspekt të jetës, por mendoj se është një zgjedhje hipokrite. Meshkujt duhet të jenë më të përfshirë në futbollin e femrave për ta çuar aty ku e meriton të jetë”.

Për t’i shtuar polemikat, ka menduar edhe lojtarja e hokeit, Sam Kuek, që ka shkruar: “A ka pasur ndonjëherë ndonjë skuadër prezantuesish më të bukur dhe kompetente?”. / Vipsport.al