Useini largohet nga Renova, dy oferta nga Superiorja për mesfushorin

Muhamed Useini mund të bëhet përsëri shumë shpejt pjesë e Kategorisë Superiore. Mesfushori i cili shkëlqeu me fanellën e Flamurtarit për një vit e gjysmë, është shumë pranë kthimit në elitën e futbolli shqiptar pasi ka ndërprerë kontratën e tij me Renovën ku luajti në pjesën e dytë të sezonit që sapo u mbyll.

Useini ishte një nga lojtaret më të vlerësuar te Flamurtari pjesë e të cilit ishte nga vera e vitit 2017, deri në janar 2019. Por pastaj mesfushori u largua nga vlonjatët pasi nuk ishte paguar rregullisht. Ai ka fituar gjyqin me ta në FIFA dhe pret të paguhet, ndërsa muajt e fundit luajti te Renova ku mbylli sezonin duke qenë një nga titullarët e skuadrës tetovare.

Gjithsesi, ai nuk do të vazhdojë atje karrierën e tij. “Infosport.mk” raporton se Useini është në bisedime me dy klube të njohura të Superiores, të cilat e kanë kontaktuar futbollistin duke i dhënë mundësinë të kthehet në vendin tonë.

Njëkohësisht, për të është interesuar edhe një klub nga Superliga e Kosovës, i cili i ka bërë një ofertë më të mirë ekonomike se klubet e Superiores. Tanimë pritet të mësohet se cila do të jetë zgjedhja që do të bëjë mesfushori për vazhdimin e karrierës së tij, ndërsa po shqyrton këto oferta që i kanë mbërritur në ditët e funti. /vipsport.al/