Uruguaji ‘thyen’ Kilin dhe kalon në çerekfinale, Suarez bëhet qesharak

Në ndeshjet e fundit të Kupës së Amerikës sa i përket fazës së grupeve, Uruguaji ka mposhtur me rezultatin minimal 0-1 Kilin. Me këtë sukses, uruguajanët kanë marrë vendin e parë në grupin C, duke lënë pas krahëve Kilin me 1 pikë më pak. Sa i përket ndeshjes, ishte një takim i luftuar nga të dyja palët, teksa kryesisht loja u përqendrua te duelet në mesfushë.

Pjesa e parë e sfidë përfundoi me rrjeta të paprekura. Ndërkohë, në fraksionin e dytë ndeshja pati një ritëm më të lartë, ndërsa skuadrat provuan të merrnin pikët e plota. Për t’u evidentuar ishte nja rast ku sulmuesi i Uruguajit, Luis Suarez pretendoi për një 11 metërsh pas prekjes me dorë nga portieri. Mesa duket ishte instikti që e shtyu lojtarin e Barcelonës të kërkonte penallti, pas prekjes me dorë të gardianit.

Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Oskar Tabarez gjeti rrugën e rrjetës 8 minuta para përfundimit të takimit, falë golit të Edison Kavani. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi, pavarësisht përpjekjeve të Kilit. Sakaq, në takimin tjetër të grupit C, Ekuadori barazoi me Japoninë me rezultatin 1-1. Në fakt, barazimi nuk i duhej asnjërës prej Kombëtareve, teksa tashmë janë të eliminuara nga turneu. Dy skuadrat e kualifikuara si të tretat më të mira janë Peruja dhe Paraguaji.

/Egi Çabeli-VipSport.al/