Uilliam Kordeiro thumbon Kukësin: Partizani me traditë, tani kam mundësi reale për titullin

Uilliam Kordeiro Melo ka qenë padyshim një nga futbollistët më të spikatur në Kategorinë Superiore në sezonin e kaluar, duke shkëlqyer me skuadrën e Kukësit e duke u bërë një nga elementët më cilësorë të saj sidomos në fazën ofensive. Por ndonëse ishte një nga yjet e verilindorëve, vetë lojtari duket se nuk e mendonte realisht se kishte shansin të fitonte titullin kampion në radhët e asaj skuadre.

Kjo shihet qartë në fjalët e tij sot për mediat braziliane, duke komentuar kalimin që ka bërë në radhët e Partizanit, për të cilin ka firmosur për një vit me të drejtën e rinovimi për një edicion tjetër.

“Futbolli ka kaq shumë të papritura. Unë mbërrita në Shqipëri si një mbrojtës krahu, fillova të luaja në sulm dhe zhvillova një sezon shumë të mirë. Partizani është skuadra me më shumë traditë dhe me më shumë eksperiencë në Shqipëri. Kur erdhi propozimi prej tyre, unë isha shumë i lumtur, pasi do të isha në gjendje të luaja Ligën e Kampioneve si dhe kisha mundësinë reale që të luftoja për titullin kampion në Shqipëri”, tregoi futbollisti brazilian.

Mbetet të mësohet se cilat janë planet e trajnerit Franko Lerda për futbollistin, nëse do ta kthejë përsëri si mbrojtës të djathtë që është roli i tij natyral, apo nëse do të lejojë brazilianin të luajë më i avancuar në mesfushë siç ka bërë me Kukësin. /vipsport.al/