U shkarkua nga Kukësi për mos angazhim, Ndreu nis negociatat me klubin që e mori në qafë

Kukësi ka ndërruar disa trajnerë këtë sezon dhe njëri prej tyre ishte edhe Ramadan Ndreu që e drejtoi skuadrën verilindore në pak ndeshje dhe më pas u shkarkua. Humbja që Kukësi pësoi në transfertë ndaj Kastriotit rezultoi fatale për Ramadan Ndreun që u shkarkua duke u akuzuar nga Kukësi se nuk kishte angazhimin e duhur.

Kur kanë kaluar pak javë nga ajo ndeshje, Ndreu ka nisur bisedimet pikërisht me Kastriotin, lajm ky i raportuar ditën e sotme nga “Kruja Sport”. Ndreu duket si njeriu që mund të bëjë mirë nën drejtimin e Kastriotit dhe të ringjisë sërish skuadrën krutane në elitën e futbollit shqiptar pasi këtë sezon nuk arriti të mbijetonte.

Ndreu është një trajner që e njeh mirë futbollin në Shqipëri duke qenë se ka drejtuar disa skuadra deri më tani si në Kategorinë e Parë ashtu edhe në Kategorinë Superiore. Emërimi i tij në krye të stolit krutan, pritet të bëhet ditët në vijim. /Erjon Allaraj-VipSport.al/