U largua nga Rumania, djali i legjendës Rivaldo pranë klubit shqiptar

Mund të duket e çuditshme por sezonin e fundit në Rumani, pjesë e Vitorulit ishin dy futbollistët, Ionis Haxhi dhe Rivaldinjo. Të dy futbollistët, shihen si elementë premtues ndërkohë që janë edhe djemtë e dy legjendave të futbollit, George Haxhi dhe Rivaldos së Brazilit.

Rivaldinjo duket se nuk i ka bindur drejtuesit e Vitorulit për të qëndruar dhe do të rikthehet te Levski Sofia, por klubi bullgar duket se nuk e ka në planet e tij. Rivaldinjo i është ofruar klubit shqiptar që këtë sezon do të debutojë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, Struga Trim Lum.

Klubi i Strugës ka marrë një email nga menaxheri i futbollistit dhe sipas asaj që raporton “Infosport.mk”, synohet që Rivaldinjo t’i ofrohet skuadrës pjesë e së cilës është edhe Nijas Lena, emër i njohur në futbollin shqiptar. 24-vjeçari Rivaldinjo luan si qendërsulmues dhe mbetet të shihet nëse Struga do të qëndrojë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/