U largua nga Gjermania për Kosovën, Muslija: Zgjedhje zemre, rrënjët e mia janë këtu

Florent Muslija është përforcimi më i fundit që Kosova ka në dispozicion, duke qenë se talenti i mesfushës ka vendosur të zgjedhë Dardanët, duke i dhënë fund kështu aventurës me të rinjtë e Gjermanisë. Futbollisti i Hanoverit ka dhënë një intervistë për zgjedhjen e bërë duke e cilësuar si një zgjedhje zemre.

Muslija pranoi se rrënjët e tij janë në Kosovë dhe se drejtuesit e Federatës kishin insistuar fort, që 20-vjeçari të bashkohej me ta. Në sezonin e fundit, Muslija ka luajtur edhe me ekipin e parë të Hanoverit, duke arritur edhe të shënojë.

“Kontaktet mes nesh kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe interesimi për mua ishte i madh. Realisht kanë punuar shumë për të më marrë. Në fund, ishte një zgjedhje zemre duke qenë se prindërit e mi janë nga Kosova dhe rrënjët e mia janë në Kosovë. Mendoj se është zgjedhja e duhur për karrierën time me ekip kombëtar dhe gjithmonë kam pasur një ndjenjë të mirë për këtë”, tha mes të tjerash Muslija. /Erjon Allaraj-VipSport.al/