U dëmtua me Kosovën, Arbër Zeneli kalon me sukses ndërhyrjen kirurgjikale

Arbër Zeneli ishte i pafat në ndeshjen e fundit me përfaqësuesen e Kosovës teksa në ndeshjen përballë Malit të Zi, u detyrua të braktiste fushën para kohe. Në analizat pas takimit, rezultoi se sulmuesi kishte këputur ligamentet e gjurit të këmbës së djathtë.

Në ditën e sotme, Zeneli i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, teksa siç edhe ka njoftuar vetë futbollisti me anë të një postimi në Instagram, gjithçka ka kaluar me sukses dhe sipas parashikimeve. “ Operacioni shkoi mirë, fjalët e mira dhe mbështetja juaj, me dedikimin do të bëjë që të rikthehem më i fortë se kurrë”, ishin fjalët e Zenelit. Ndërkohë, në postimin e sulmuesit nuk kanë munguar as mesazhet inkurajuese nga shokët e ekipit si Rashica dhe Sajmir Ujkani.

Tashmë, 24-vjeçari do të fillojë seancat terapeutike për rikuperim, edhe pse koha e rikuperimit të plotë parashikohet të jetë e tejzgjatur. Arbër Zeneli mund të mbetet jashtë fushave për tetë apo nëntë muaj, teksa do të jetë një mungesë e rëndësishme për skuadrën e Reims në kampionati francez, por edhe për përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjet e radhës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/