Turpërimi epik i Anjelit, idenë e tij për Superligën e refuzojnë edhe klubet italiane

Andrea Anjeli ka dështuar në përpjekjen e tij për t’’u bërë lideri i futbollit europian sa i përket klubeve, Numri 1 i Juventusit, i zgjedhur edhe si presidenti i ECA, organizatës që bashkon klubet europiane, duket se nuk ka bindur askënd me planin e tij për rritjen e fitimeve të klubeve duke ndryshuar nga viti 2024 kompeticionet ndërkombëtare të klubeve.

Krijimi i Superligës Europiane me skuadra që do të kishin vendin e garantuar në këtë turne, duke i dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve e zbehur rivalitetin e kampionateve, ka bërë që të gjitha ligat kryesore ta refuzojnë këtë ide. Pas Premier League, La Liga, Bundesliga dhe Ligue 1, me qëndrim zyrtar ka dalë edhe Lega Seria A e cila ka votuar thuajse unanimisht kundër idesë së Anjelit.

Në votimin e sotëm, klubet e Serisë A ishin kundër, me vetëm Anjelin që çoi dorën për pro, ndërsa Roma, Fiorentina, Milan dhe Inter abstenuan. “Ne jemi të bindur që meritat sportive për pjesëmarrjen në Kupat e Europës duhet të ruhen dhe të mos heqim dorë nga emocione si ato që kemi parë në kampionatin tonë”, tha presidenti i Lega Serie A, Gaetano Miçike, duke publikuar para gazetarëve përfundimin e votimit që praktikisht hedh në koshin e plehrave idenë e Anjelit sepse do të jetë e vështirë të miratohet në vende të tjera nëse ai nuk arriti as të bindte bashkëkombësit e tij. /vipsport.al/