Trajneri i ri i Milanit nis me spastrimet, rikthen “dështimin” dhe largon një talent

Pak ditë më parë, Marko Xhampaolo u emërua zyrtarisht si trajneri i ri i Milanit dhe në ditët në vazhdim, do të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Trajneri i Milanit, do të takohet për herë të parë me skuadrën dhe do të shohë futbollistët që i duhen për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që priten edhe largime.

Surprizë mund të quhet vendimi që është marrë për Andre Silvën. Sulmuesi portugez që sezonin e fundit luajti në Spanjë pasi te Milani po dështonte, duket se do të ketë një shans tjetër. Portugezi duhet të bindë Xhampaolon në stërvitjet e para, në mënyrë që të qëndrojë te kuqezinjtë edhe për një sezon.

Sakaq, Patrik Kutrone duket se nuk është më në planet e trajnerit të ri dhe pritet që të largohet këtë merkato. Mediat italiane raportojnë se për 21-vjeçarin mund të pranohet një ofertë që kap vlerën e 25 milionë eurove. Në sezonet e fundit, Kutrone ka qenë protagonist me Milanin duke shënuar edhe gola me vlerë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/