Titullar në finalen e turneut, gol dhe asist për Seferin me Jang Bojz

Taulant Seferi në këtë edicion do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij me fanellën e Jang Bojz, klub i cili zotëron kartonin e futbollistit të talentuar nga Kumanova. Më në fund pa asnjë shqetësim fizik, Seferi ka nisur pak ditë më parë fazën përgatitore me klubin kampion të Zvicrës dhe që në ndeshjet e para të miqësore, ka arritur të tregojë vlerat e tij.

Jang Bojz ka marrë pjesë në një miniturne mes katër ekipesh me ndeshje prej 45 minutash, si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri. Në ndeshjen ndaj Rapersvil, ai nuk luajti si titullar, ndërsa në finalen kundër Breiteran, Seferi u aktivizua nga minuta e parë nga trajneri Seoane.

Seferi u bë menjëherë protagonist, duke dhënë asist për golin e avantazhit në minutën e 13, të shënuar nga Sulejmani. Ndërkohë, vetë realizoi golin e 4-t në minutën e 41 të sfidës duke vulosur suksesin 4-0 të ekipit të tij i cili fitoi këtë kupë simbolike.

Për Seferin parashikohet të ketë një rol më qendror te Jang Bojs në këtë edicion, duke llogaritur se klubi ka planifikuar të shesë disa prej titullarëve për të cilët ka marrë oferta shumë të mira ekonomike. /vipsport.al/