Tirana zyrtarizon edhe Torasën, por argjentinasi e ka kontratën ndryshe nga Kale

Agustin Torasa është zyrtarisht një futbollist i Tiranës. Rreth një orë pasi kishte zyrtarizuar firmën e Elton Kale, klubi bardheblu bëri të ditur se kishte nënshkruar një marrëveshje edhe me Agustin Toras, i cili i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Ardian Mema si një nga lojtarët më me eksperiencë dhe më cilësorë.

Një transferim ky i paralajmëruar nga VIP Sport disa ditë më parë dhe që ka gjetur sot konfirmimin në klubin kryeqytetas, ku vazhdojnë manovrat për të kthyer ekipin drejt lavdisë së dikurshme pas disa vitesh të kaluara mes ankthit për mbijetesën.

“Agustin Torasa është zyrtarisht bardheblu. Sulmuesi argjentinas ka nënshkruar marrëveshjen që e bën pjesë të Tiranës për sezonin e ardhshëm me opsionin për të vazhduar bashkëpunimin edhe me një tjetër vit.

Torasa vjen si një përforcim me shumë vlera për skuadrën bardheblu. Ish-futbollisti i Flamurtarit do t’i bashkohet Tiranës në ditët e para përgatitore në muajin korrik”, shkruhej në njoftimin e klubit. Bie në sy se ndryshe nga Kale i cili ka kontratë dyvjeçare, Tirana ka nënshkruar me të kontratë një plus një, që i jep mundësinë të shkëputet në fund të edicionit të ardhshëm nga klubi kryeqytetas. /vipsport.al/