Tirana prezanton përforcimin e tretë, bardheblutë firmosin me Bathën

Tirana ka prezantuar ditën e sotme afrimin e tretë për këtë merkato verore. Pas Elton Kale dhe Agustin Torasës, sot ka qenë radha e mesfushorit Idriz Batha. Batha mbërrin si një përforcim nga Flamurtari, ndërsa ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon.

Pavarësisht të kaluarës së tij si futbollisti i Partizanit, Batha ka pranuar ofertën për t’u bërë pjesë e 24-herë kampionëve të vendit, teksa në sezonin e ri bardheblutë do të kenë synim për të rikthyer klubin në vendet e larta të klasifikimit, duke i dhënë fund vuajtjeve të sezoneve të fundit. Ka qenë vetë klubi i Tiranës, që nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook ka njoftuar për firmën me mesfushorin 27-vjeçar.

“Idriz Batha është bërë sot zyrtarisht pjesë e Tiranës. Mesfushori ka firmosur një kontrate 1-vjeçare me opsionin për të vazhduar sërish në sezonin pasardhës. Batha vjen si një përforcim shumë i rëndësishëm për mesfushën bardheblu. Ish futbollisti i Flamurtarit pas firmës në kontratë është prezantuar sot në ambientet e stadiumit “Selman Stermasi”, shkruhej në njoftimin e klubit bardheblu.

/Egi Çabeli-VipSport.al/