Teuta përgatitet për tjetër goditje në merkato, gjen një sulmues goleador

Teuta ka qenë ndër ekipet më aktive në këtë merkato vere duke afruar disa futbollistë, por njëkohësisht edhe duke larguar disa të tjerë. Prioritet i bregdetarëve mbete sulmi duke qenë se janë larguar deri më tani Amadu Latif dhe Armando Vajushi ndërkohë që pritet që të largohet edhe Tomislav Bushiç.

Megjithatë, Teuta nuk ka humbur kohë dhe ka gjetur sulmuesin që duket se do të jetë shpëtimi për fazën ofensive të Shkëmbit. Sipas “Sport Ekspres”, në Tiranë ka mbërritur sulmuesi Darko Nikaç i cili sezonin e fundit e ka mbyllur në kampionatin malazez, aty ku në 17 ndeshje ka shënuar plot 12 gola.

Kjo statistikë, lë të kuptohet se bëhet fjalë për një sulmues goli dhe që mund të kthehet në protagonist te Teuta, ndërkohë që pritet të zyrtarizohet ditët në vijim dhe të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Ventspilsit në Ligën e Europës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/