Teuta nis punën për Europa League, klubi siguron tifozerinë për afrime cilësore në merkato

Teuta zhvilloi këtë sezon një kampionat të mirë, teksa në një moment u cilësua si një nga pretendentet për triumfin final, mirëpo fund arriti të klasifikohej si forca e tretë e Kategorisë Superiore. Edhe kjo mund të cilësohet si një arritje e rëndësishme për Teutën.

Në këtë formë, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi ka siguruar pjesëmarrjen në turin e parë të kualifikueseve të Ligës së Europës. Durrsakët do të nisin ditën e nesërme përgatitjet.

Ka qenë vetë klubi bregdetar, që nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Facebook ka bërë të ditur nisjen e përgatitjeve, ndërsa ka theksuar se tifozeria durrsake duhet të qëndrojë e qetë pasi drejtuesit do të punojnë për të bërë afrimet e duhura dhe do të marrin lojtarë cilësorë, në mënyrë që Teuta të paraqitet sa më mirë në kompeticionin europian.  /Egi Çabeli-VipSport.al/