Teuta e nis me humbje, te Laçi shënon gol vëllai i portierit të Kombëtares!

Në “Niko Dovana” të Durrësit, ekipi i Shkëmbit priti Laçin në miqësore, dhe ishin kurbinasit ata që fituan me shifrat 1-2. Në formacionin titullar, për durrsakët luante vetëm Todorovski, ndërkohë që blerjet e tjera e nisën nga stoli, ndërkohë tek kurbinasit binin në sy Turkaj, Teko apo Zaimi.

Në pjesën e parë, shifrat ishin të bardha, dhe ekipet e mbyllën pa gola, me rezultatin 0-0. Në të dytën, ishte Laçi që gjeti dy herë rrugën e rrjetës. Në minutën e 73-të, Elvi Berisha, shënoi pas një krosimi nga e djathta.

Më pas, në minutën e 85-të, ishte Adolf Selmani, i ardhur nga klubi i Kastriotit, që shënoi golin e dytë për kurbinasit. Ky është edhe vëllai i portierit të kurbinasve, Gentian Selmani i cili është grumbulluar edhe nga kuqezinjtë.

Ekipi i Shkëmbit ngushtoi shifrat në minutën e 88-të, me Lorenco Vilën. Me kaq u mbyll sfida, ndërsa pas kësaj miqësore, të dy trajnerët do të shprehen për lojtarët që janë duke testuar, ku më shumë pati në radhët e skuadrës së Laçit, çka është vënë re në stërvitjet e javës por edhe në testin e sotëm miqësor me durrsakët.

E.S./Vipsport.al/