Të talentuar dhe me kosto të ulët, klubet turke vënë Superioren në monitorim

Kampionati shqiptar i futbollit është bërë objekt monitorimi nga klubet e elitës turke, të cilat kanë filluar një proces të ri rekrutimi në Ballkan për talente. Duke e parë Ballkanin si një zonë e cila prodhon vazhdimisht talente, klubet e mëdha turke shohin këtu një zgjidhje me kosto më  të ulët sesa ajo e afrimit të yjeve të afirmuar siç kanë bërë në vitet e fundit.

Mediat turke raportojnë se gjatë këtyre muajve, klube të ndryshme turke kanë filluar të ndërtojnë grupe pune për të monitoruar në sezonin në vijim kampionate si ai shqiptar, i Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë e Rumansië,. Klubet kanë ngarkuar shefat e skautimit të tyre që të ndjekin më vëmendje çdo talent që shfaq sinjale premtuese, duke shpresuar që të gjejnë një Muriqi, Elmas, Jojiç apo Bajiç të ri.

Një pjesë e këtyre lojtarëve u kanë kushtuar shtrenjtë klubeve të mëdha, por ata kanë kuptuar se duhet investuar më shumë të zbulimi i talenteve në Ballkan, edhe për faktin se ambientimi është më i shpejtë se i futbollistëve nga vende e Amerikës Latine.

Parashikohet që gjatë këtij sezoni, klubet të dërgojnë skautët e tyre të monitorojnë vazhdimisht nga afër emrat më premtues në secilin prej këtyre kampionateve ballkanike, duke u bërë gati për të bërë lëvizjen e duhur dhe të sigurojnë elementë që do të rritin cilësinë e tyre duke u transferuar më pas në kampionatin turk. /vipsport.al/