Të rënë nga Superiorja dhe duan të kthehen shpejt, Kastrioti firmos me kapitenin

Kastrioti ka qenë padyshim skuadra surprizë e sezonit të fundit të Kategorisë Superiore, edhe pse e mbylli edicionin me rënien nga kategoria. Skuadra krutane zhvilloi në pjesë të dytë të jashtëzakonshme duke mbajtur gjallë garën për mbijetesën e duke ndikuar deri diku edhe te ajo për Europën.

Por në fund rënia dekretoi kthimin në Kategorinë e Parë, por me krutanët që kanë marrë një mësim të mirë dhe tani po mendojnë që të kthehen sa më shpejt në elitë e të jenë përsëri protagonistë. Pas emërimit të Ramadan Ndreut në pankinën e tyre, ka nisur puna edhe për krijimin e një grupi ku do të ketë shumë të rinj, por edhe shumë veteranë.

Ndër të parët që ka hedhur firmën në kontratë, sipas “Kruja Sport” është kapiteni Emiliano Çela, i cili ka qenë i gatshëm që të vazhdonte eksperiencën e tij në radhët e kësaj skuadre. Çela ka qenë edhe në edicionin e fundit një nga pikat kyçe të Kastriotit ndaj për trajnerin Ndreu, vendimi i tij për të vazhduar në klub është një lajm shumë i mirë dhe një bazë për të vazhduar rindërtimin. /vipsport.al/