Të largohet apo të qëndrojë në të dytën? Trajneri i ri kërkon me çdo kusht Çikalleshin

Sokol Çikalleshi duhet të vendosë shumë shpejt për të ardhmen e tij, nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e Akhisarspor në kategorinë e dytë turke, apo nëse do të kërkojë që të sigurojë një kontratë në një kampionat elitar. Klubi pret përgjigje, sidomos trajneri ri i skuadrës së tij, i cili e ka në listën e preferencave.

Në kategorinë e dytë turke, skuadrave u lejohen vetëm 6 të huaj dhe trajneri i ri i Akhisarspor, Mehmet Altiparmak, i ka bërë të ditur klubit se Sokol Çikalleshi është një prej 4 emrave që do të dëshironte me çdo kusht të mbante, pasi i sheh si futbollistë të cilët mund ta ndihmojnë ekipin të kthehet shpejt në elitë. Çikalleshi ka kontratë edhe për dy vite me Akhisar dhe gjithçka do të varet tashmë nga dëshira e lojtarit për të qëndruar apo jo në kategorinë e dytë.

Çikalleshi u largua një vit më parë nga Osmanlispor pikërisht për faktin se ajo skuadër ra nga kategoria, ndaj mbetet për t’u parë se cilin vendim do të marrë sa i përket vazhdimësisë së tij te Akhisarspor. /vipsport.al/