Te Kukësi ka optimizëm, Shameti e ka “fiksim” Romën!

Ylli Shameti e  ka nisur te Luftëtari karrierën, duke luajtur në Kupat e Europës, e më pas në Krujë e Peqin. Por, duket se mbrojtësi shtatlartë, te Kukësi ka kaluar formën e tij më të mirë.

Në një prononcim për “Rtshsport”, Ylli Shameti flet për prag-ndeshjen europiane të Kukësit dhe objektivat për ndeshjen me Debrecenin, që sipas Shametit: “Besoj se Debreceni është skuadra më e fortë, por ne kemi besim se do të përballemi me një 180-minutësh shumë të fortë. Natyrisht që ata janë favoritë, por ne do të japim më të mirën tonë në të dyja ndeshjet. Përballje dhe rival shumë i vështirë, por ne do të synojmë kalimin e turit”.

Kukësi nëse kalon hungarezët mund të përballet më tej në aventurën europiane me gjigantët italianë të Romës. Sipas Ylli Shametit është një ndeshje si në ëndrra të luash në “Olimpiko”, por në skuadër të gjithë janë të fokusuar vetëm te kundërshtari i radhës. “Roma?! Është kënaqësi ta shohësh stadiumin, e pastaj të luash në atë stadium. Por më parë të kalojmë Debrecenin, sepse të gjithë ne jemi duke u përgatitur për kundërshtarët hungarezë. Synimi ynë është një përfaqësim dinjitoz edhe këtë sezon, ashtu siç edhe ka bërë Kukësi sa herë që merr pjesë në Europë”, – tha Ylli Shameti, një nga titullarët dhe lojtarët e rëndësishëm të kuksianëve në vitet e fundit.

E.S./Vipsport.al/