Tare nuk i ndahet shqiptarëve, në listën e drejtorit edhe sulmuesi i Bazelit

Igli Tare dhe Lacio kanë nisur nga puna për të bërë ndërhyrjet e duhura në organikën e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Dëshira e trajnerit Simone Inzagi është të ketë një alternativë të vlefshme në repartin e sulmit, pas Çiro Imobiles.

Në këtë formë, drejtori shqiptar ka pikasur kandidatët, teksa në mesin e tyre është edhe futbollisti Albian Ajeti, vëllai i Arlind Ajetit. Sulmuesi aktivizohet me skuadrën e Bazelit në kampionatin zviceran dhe këtë sezon ka qenë një titullar i rregull për të tijtë. Ndërsa shënoi edhe 14 gola, përgjatë javëve të kampionatit.

Vlera e përcaktuar nga ‘TransferMarkt’ për 22-vjeçarin është 7 milionë euro, megjithatë zvicerianët janë të prirur të kërkojnë deri në 12 milionë euro. Megjithatë, Tare është ende në fazën e studimit të lojtarëve, teksa akoma nuk ka nisur një tratativë me futbollistin apo me klubin. Ndërkaq, në listën e shqiptarit është gjithashtu edhe Vedat Muriqi, i cili këtë sezon ka shkëlqyer në Turqi, me fanellën e Rizesporit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/