Suarez i kthehet episodit me Kielinin: Nuk e pranoja realitetin, u trajtova te psikologu

Luis Suarez i është rikthyer edhe një herë atij episodi të shëmtuar me Kielinin në Botërorin e vitit 2014. Uruguaji dhe Italia kishin një ndeshje vendimtare në fazën e grupeve dhe në zhvillimet e sfidës, uruguaiani kafshon Kielinin. Një gjest i cili do të mbahet mend gjatë, ndërsa ka marrë edhe kritika të ashpra.

Vetë Suarez, tregon se në atë kohë e mohonte realitetin duke mos e pranuar se e kishte kryer atë veprim, ndërsa më pas u shpreh se ishte ndihmuar nga psikologë. “Gruaja ime më pyeste se çfarë kishte ndodhur dhe unë i thoja se thjesht kemi pasur përplasje. Nuk e pranoja realitetin dhe ky ishte një gabim i madh.

Iu drejtova psikologëve dhe kjo më ndihmoi shumë të shikoja realitetin, të pranoja gabimin dhe më bëri të rritesha. Kam vuajtur shumë, jam treguar vërtet i keq për gruan time, shokët e mi dhe fëmijët e mi”. Ndërkohë, Suarez tregoi se u trajtua në një formë jo humane, ndërsa shtoi se mendoi se karriera e tij kishte marrë fund. “Megjithatë, kur Barcelona më mori për të firmosur, qava gjithë ditën”, tha Suarez.

/Egi Çabeli-VipSport.al/