Strakosha pushime të merituara në Greqi, së bashku me shqiptarin edhe ish-lojtari i Lacios

Tomas Strakosha ka mbyllur një tjetër sezon të suksesshëm me Lacion, teksa edhe këtë herë portieri i Kombëtares së Shqipërisë ka konfirmuar cilësitë e tij. Së fundmi, gardiani po shijon disa ditë pushime të merituara në Greqi, pas një sezoni të gjatë, ndërsa së bashku me vëllain e 24-vjeçarit është edhe ish-lojtari i Lacios, Felipe Anderson.

Braziliani këtë sezon nuk ishte pjesë e skuadrës kryeqytetase, megjithatë largësia nuk i ka penguar dy futbollistët të ruajnë një miqësi të ngushtë me njëri-tjetrin. Duket se Strakosha nuk po e mendon shumë edhe pjesën e merkatos, teksa për portierin ka pasur ‘sirena’ nga disa klube të Premier League.

Sakaq, në fundin e sezonit të kaluar Strakosha pësoi një dëmtim, i cili nuk e lejoi portierin të ishte pjesë e Kombëtares në dy ndeshjet e qershorit. Megjithatë, Strakosha pritet të jetë gati duke nisur nga fillimi i kampionatit italian, ndërsa do të kthehet rregullisht të mbrojë edhe kuadratin e kuqezinjve në ndeshjet eliminatore të Euro 2020.

/Egi Çabeli-VipSport.al/