Strakosha është në shitje! Lacio cakton vlerën e kartonit për tre klube angleze

Prej kohësh Lacio insiston se Thomas Strakosha është i paprekshëm dhe se mendon të vazhdojë bashkëpunimin sa më gjatë me portierin shqiptar. Por sigurisht çdo lojtar ka një çmim dhe vlera e portierit shqiptar vazhdon të rritet ndjeshëm, duke shtuar edhe interesimin për të. Kjo ka bërë që Lacio të marrë në konsideratë idenë e transferimit të tij, duke i vendosur çmimin kartonit të 24-vjeçarit.

Gjatë javëve të kaluara është përmendur shpesh interesimi i klubeve angleze për gardianin shqiptar. Sipas “Il Messaggero”, përveç Arsenalit e Totenhemit, tani për Strakoshën ka filluar të interesohet konkretisht edhe Uest Hem. Ndaj në një situatë të tillë Lacio duket gati të hapë ankand mes këtyre skuadrave për të siguruar sa më shumë nga një transferim i mundshëm.

I njëjti burim saktëson se bëhet fjalë për një shifër relativisht të lartë, pasi Klaudio Lotito e vlerëson mes 50-55 milionë eurove portierin shqiptar dhe nuk dëshiron ta lërë të largohet për një shumë më të ulët. Pritet që negociatat konkrete të fillojnë në javën e ardhshme, pasi klubet angleze kanë piketuar portierin shqiptar dhe duan të bëjnë investime të rëndësishme për portën e tyre. /vipsport.al/