Sot edhe Shpresat në fushë, në ndeshjen që asnjë lojtar nuk do ta luajë

Nuk është vetëm Shqipëria e madhe ajo që zbret sot në fushën e lojës. Para saj, në “Niko Dovana” zbresin në fushë edhe Shpresat e Alban Bushit, në një ndeshje ndaj Uellsit të cilën në fakt asnjë prej lojtarëve kuqezinj nuk e ka shumë me qejf.

Problemi në këtë sfidë ndaj ekipit që mundën 2-1 vetëm dy ditë më parë, është orari i përzgjedhur për ta luajtur ndeshjen. Plani i dy federatave nuk kishte marrë parasysh temperaturat jashtëzakonisht të larta të këtyre ditëve, pasi dueli sot do të luhet në piskun e vapës, në orën 15:00. Sigurisht që do të jetë thuajse e pamundur që në këtë orar të kërkohet maksimumi ndaj lojtarëve dhe duket e pakuptueshme pse nuk është shtyrë në një orë tjetër zhvillimi i këtij takimi, si për të garantuar cilësinë e lojës, ashtu edhe për të mos rrezikuar shëndetin e futbollistëve.

Edhe dy ditë më parë, ndonëse luhej pas orës 17:00 në Tiranë, futbollistët u shprehën se kishin pasur vështirësi të mëdha për shkak të vapës, sidomos në pjesën e parë të duelit. Disa prej tyre konfirmuan pas takimit se realisht mendonin që ishte gabuar me zgjedhjen e orës 15:00 për ndeshjen e dytë, pasi një orar i tillë ishte krejtësisht i papërshtatshëm për të luajtur futboll. /vipsport.al/