Skënderbeu nuk pret KAS-in, arrin akordin me një portier kampion

Ende pa trajner dhe në pritje të një vendimi nga Lozana, por te Skënderbeu po bëhen gati gjithsesi për një sezon ndryshe nga ai i fundit, ku ekipi la shumë për të dëshiruar duke mos arritur të luftonte as për titullin e as për Kupën e Shqipërisë. Përtej zhgënjimit për mospjesëmarrje në Europë, korçarët kanë dështuar në projektin e tyre për të bërë një skuadër me lojtarë kryesisht të rinj dhe për këtë arsye, po mendojnë që në edicionin  ardhshëm, të ndërtojnë një grup më cilësor duke u besuar futbollistëve me eksperiencë.

Ajo do të fillojë nga porta, ku në radhët e skuadrës që pret të emërojë së shpejti zyrtarisht ilir Dajën përsëri në pankinë, do të jetë Enea Koliçi. Gardiani i cili ka luajtur në sezonin e fundit te Flamurtari, ka qenë për shumë vite një nga rivalët e fortë të Skënderbeut që i njeh shumë mirë cilësitë e tij, sidomos në tre sezonet kur ai veshi fanellën e Kukësit me të cilin u shpall Kampion, mori Kupën e Superkupën.

Sipas RTSH, akordi mes palëve është arritur dhe mbetet vetëm finalizmi i marrëveshjes sapo të nisë grumbullimi për edicionin i ri, i cili gjithsesi mbetet në varësi të vendimit të KAS të Lozanës në javën e dytë të korrikut. /vipsport.al/