Shtohen kandidatët për Hysajn, në garën për shkodranin përfshihen edhe gjigandët anglezë

Elseid Hysaj e ka deklaruar se do të largohet nga Napoli dhe se ky ishte sezoni i fundit me fanellën e të kaltërve. Për shërbimet e shkodranit janë të interesuara një sërë klubesh, teksa pak ditë më parë është përfolur për Interin, Atletiko Madrid apo edhe Juventus.

Megjithatë, ditën e djeshme listës së kandidatëve për mbrojtësin i është shtuar edhe Mançester Junajtid. Djajtë e Kuq janë vënë në kërkim të një mbrojtësi krahu, duke parë se Ashlej Jang nuk ofron garancitë e disa viteve më parë. Anglezët kanë filluar të bëjnë sondazhet e para për Hysajn, ndërsa sipas asaj që raporton Sky, Junajtid ka kërkuar më tepër informacion për shqiptarin.

Duket se Hysaj i ka dyert e hapura dhe do t’i duhet të zgjedhë tashmë nëse do të provojë një aventurë jashtë Italisë me Junajtid apo Atletiko nëse arrihet akordi, apo të qëndrojë në Serie A, një kampionat të cilin tashmë e njeh mjaft mirë pas eksperiencave me Empolin dhe Napolin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/