Shkodra bind në Kazakistan, mesfushori rinovon kontratën me Shaktar Karagandin

Donjet Shkodra duket se ka bindur me paraqitjet e tij në kampionatin e Kazakistanit, aty ku aktivizohet me skuadrën e Shaktar Karagandit, teksa ka njoftuar për rinovimin e kontratës.  Nëpërmjet Instagramit, futbollisti ka lajmëruar se tashmë ka rinovuar edhe për një tjetër sezon dhe do të jetë i lidhur me klubin kazak deri në vitin 2020.

Mesfushori u transferua për te Karagandi në muajin shkurt, teksa i dha fund aventurës me Kukësin. Aventura e deritanishme e 30-vjeçarit ka shkuar sipas parashikimeve, teksa ka fituar vendin e titullarit në skuadër, ndërsa nuk kanë munguar edhe 2 gola nga distanca, të cilat janë një specialitet i mesfushorit.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit të Shaktar Karagandit kanë vendosur t’ia shpërblejnë mesfushorit me rinovimin e kontratës për një sezon, teksa nuk kërkojnë të humbasin një element të rëndësishëm për mekanizmat e skuadrës. Përveç Kukësit, Shkodra në Kategorinë Superiore është aktivizuar edhe me  Flamurtarin dhe Skënderbeun.

/Egi Çabeli-VipSport.al/