Shehu: Transferimet në Shqipëri janë si agjenci martesore, blihen lojtarë me video nga “YouTube”

I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, drejtori i “VipSport.al”, Fation Shehu u shpreh se më shumë se një pjesëmarrje në Europë këtë sezon, për Skënderbeun është më e rëndësishme që të fitojë në KAS. Ai u ndal edhe te shorti dhe pjesëmarrja e klubeve shqiptare në Kupat e Europës.

“Skënderbeu? Nuk e di programimin që kishin bërë pasi skuadra ishte e paqartë dhe Takaj tha se nuk ishin të përgatitur dhe nuk kishin planifikuar fazën përgatitore. Për Skënderbeun është më e rëndësishme një rezultat pozitiv në KAS sesa një kualifikim në Europë. Nëse merr një pafajësi në KAS, mund të kërkojë edhe dëmshpërblim.

Partizani? Ka 3 vite që pret një sulmues race që nga koha kur erdhi Ekuban. Edhe ai erdhi si sulmues krahu dhe më pas doli mirë si qendre. Ajo që ndodhi me Ferencvaroshin është alibi që nuk është i dorëzuar ndaj Karabakut. Futbolli është i paparashikuar dhe nëse është shkencë ekzakte, Karabaku është i favorizuar. Ka komponentë që te Partizani duhen studiuar pasi ka ardhur një trajner që nuk e njohim dhe lojtarët po e njohin. Ata po e shohin sa i zgjuar do të jetë ai për të shkuar në Europë dhe do të shihet ditën e ndeshjes. Është e vështirë të thuhet se Partizani do të jetë i suksesshëm me trajnerin e ri por e vështirë të thuhet edhe se mund të dështojë.

Ajo që ndodhi me Ferencvaroshin tregon si një skuadër transferohet nga Europa në kampionat. Fili ishte ylli ndërsa Ekubani ishte i pazbuluar dhe pas gjysmës së kampionatit, gjysma e lojtarëve nuk po luanin.

Ventspils? Nëse bëjmë analizën duhet të heqim paraqitjen me Luftëtarin dhe duke e hequr atë ndeshje që është në hetim, Teuta ka grup me cilësi dhe stabilitet për të qenë në garë deri në fund. Është një skuadër që në ndeshje direkte ka zhvilluar ndeshje të mira. Duke neglizhuar Ventspilsin e Luftëtarit, edhe Teuta ka shanse për të kaluar turin.

Partizani ka domosdoshmëri për të bërë afrime dhe nëse duan t’i bëjnë, duhet të praktikohet me skuadrën pasi ka nevojë të njohë skuadrën. Pjesa e merkatos së klubeve shqiptare është si agjencitë martesore që i bëjnë lidhjet me fotografi. Edhe këtu transferimet bëhen me video nga “YouTube”. Bëhen me siguri dhe sugjerime nga futbollistët që thonë “dal unë garant”. Nuk mund të merren futbollistë pa i njohur.

Sarajevo ka skautë që shohin futbollistë gjithë sezonin dhe kanë kandidatë për çdo pozicion. Me emergjencat në kohë dhe sugjerime, ekipet shqiptare harxhojnë para dhe kjo ka ndodhur me Partizanin. Partizani kishte Çanin që u pagua shumë dhe nuk luajti. Ka pasur edhe të tjerë që kanë marrë mbi 10 mijë euro në muaj dhe nuk mbahen mend se nuk kanë luajtur. Duhen njerëz që të shohin njerëz gjithë sezonin dhe jo vetëm në merkato.

Teuta? Ka marrë dy lojtarë që i njeh dhe di se çfarë po merr. Teuta ka qenë skuadra me kosto më të larta pasi pagat e futbollistëve janë të larta dhe me investim serioz. Priteshin shpenzime dhe pretendimet janë për të kaluar. Afrimet janë në ndryshim me janarin ku futbollistët prishën harmonin dhe tani janë me këmbë në tokë.

Të gjesh biznesmenë që futen rishtazi në sport dhe të blesh 34% me format tjetër dhe me qendra komerciale është vështirë dhe askush nuk paguan në gjendjen ku është Tirana pasi ka borxhe pa likuiduar por shumë pak në krahasim me ato që ka paguar. Aksionari duhet të marrë përsipër edhe të paguajë borxhet dhe në kafenetë futbolldashëse ka skenarë të ndryshëm dhe gjithçka është në kuadrin e thashethemeve.

Tirana nuk u licencua në Europë dhe sezonin tjetër do të jetë njëlloj. Nëse fiton dhe shkon në Europë, është e kotë. Gëzuar 100-vjetorin por është e kotë që nuk shkon dot më shumë. Merr afrikanë se kanë luajtur te Milani dhe te Interi, por nuk shlyen borxhet. Them se duhet të shlyejë njëherë borxhet dhe më pas duhet të bëjë shpenzime në merkato.

Te Vlora është situatë me pikëpyetje pasi nuk dihet vazhdimësia e administratorëve. Në nuhatjen time, pagat lidhen me bashkinë, pasi nëse bashkia përmbush kushtet do të ketë një tjetër rrjedhë. Vitin tjetër ka pasur pagesa me kamatëvonesa por këtë vit ka pasur një tjetër alibi dhe duam s’duam, hyn politika në mes. Është një detyrim që administratori Idrizi ka paguar detyrime të bashkisë dhe nuk dihet si vazhdohet bashkëpunimi. Duhet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse”, tha Shehu. /VipSport.al/