Rrëfimi i Pogbas: Dikur më ofendonin me pasthirrmat e majmunit, më ndryshoi çmimi i shtrenjtë

Pol Pogba mbetet një nga futbollistët më të kërkuar në merkaton e verës dhe të shumta janë kërkesat që vijnë karshi tij. Mesfushori francez që bëri një kalim të bujshëm duke u larguar nga Juventusi për te Mançester Junajtidi për një shumë të konsiderueshme parash.

Në një rrëfim të dhënë për “The Times”, mesfushori francez ka treguar se shifra e paguar për të e ka ndryshuar jo pak duke qenë se janë rritur shumë pritshmëritë. Ai u ndal edhe te racizmi duke treguar edhe një histori në lidhje me racizmin e treguar karshi tij në Itali.

“U bëra një lojtar tjetër sepse u paguan shumë për mua. Duke u bërë një nga më të shtrenjtët, më shohin ndryshe sepse presin më shumë. Një ndeshje e mirë duket normale ndërsa një ndeshje e madhe, duket thjeshtë një ndeshje e mirë.

Racizmi? E kam provuar dhe është shumë keq. Tifozët që janë racistë kanë lojtarë me ngjyrë edhe te skuadra e tyre. Ata duan të shajnë kundërshtarin por ofendojnë edhe shokun e skuadrës dhe nuk tregojnë respekt. Sa herë që dëgjoj racizëm, unë buzëqesh.

Dikur në ndeshjen  ndaj Fiorentinës po bënin pasthirrma si majmunë dhe pyeta pse po e bënin. Iu dhashë fanellën time dhe u lumturuan shumë, nisën të më duartrokisnin. Nuk mund ta luftosh racizmin pasi është injorancë dhe është fiksuar te njerëzit keq. Unë kam shokë kinezë, kam agjent italian, grua nga Bolivia dhe vetë jam nga Guinea dhe Franca. Jeta ime është e ndërtuar mbi kultura të ndryshme”, tha Pogba. /Erjon Allaraj-VipSport.al/