Rrëfimi i Bufon: Hoqa dorë nga shumë para, në këtë moshë kam nevojë për emocione

Xhanluixhi Bufon është aktualisht pa skuadër. Portieri 41-vjeçari vendosi të largohej nga skuadra e PSG, teksa nuk pranoi rolin si portier i dytë. Ka qenë vetë, ish-gardiani i Juventuisit, i cili në një intervistë për ‘Corriere Dello Sport’, ka shpjeguar se në momentin që u largua nga Parisi hoqi dorë nga një shumë e madhe parash, megjithatë Bufon shton se në moshën e tij ka nevojë më shumë për emocione.

“ Prej pesë muajsh, PSG më kishte njoftuar se do të isha portier i dytë. Nga janari kam pasur kohën e mjaftueshme për t’u menduar, por e di që nuk bënte për mua. Kështu, hoqa dorë nga shumë para dhe nga opsioni për të qëndruar edhe një vit. Oferta e tyre ishte tërësisht legjitime. Por, në moshën 41-vjeçare kam nevojë për emocione. Emocione që do të thotë, energji, ëndrra.

Emocion është edhe për të mos bërë një zgjedhje në konflikt me të shkuarën time juventine. Ndihem si një vit më parë. Më kanë ardhur disa oferta interesante, por nëse do të mungojë dëshira, atëherë mund të vendosë t’i dhurojë vetes një vit pushim”, tha Bufon.

/Egi Çabeli-VipSport.al/