Roshi: Nuk e kam problem të luaj në krah të kundërt, të ikim të lumtur me pushime

Pas ndeshjes, autori i asistit te goli i parë, Odise Roshi, është shprehur se nuk e ka problem të luaj në kah të kundërt të fushës, ndërsa shtoi se me sulmuesit njihet mirë dhe mund të përshtatet me këdo.

Skema e re

“Është një skemë që ne nuk kemi luajtur në Kombëtare për një kohë të gjatë, por edhe te ekipi ku luaj përdorim këtë skemë. Por vij nga një dëmtim i gjatë, kam thuajse 9 muaj që nuk luaj. Por, nëse mund të ambientohem siç thotë trajneri, atëherë mund të luajë nga fillimi.

Nuk është problem për mua të luaj majtas, pasi kur jam nga e majta më shumë mendoj të krosoj në zonë, ndërsa nga e majta mund të futem drejt qendrës dhe të godas portën apo të jap asist. E rëndësishme sot është që kam dhënë asist dhe kemi fituar lojën, besoj se janë të gëzuar edhe çunat, të ikim me pushime të gëzuar.

Kemi bërë një lojë të mirë, edhe Moldavia luajti mirë. Besoj se e kemi merituar fitoren”.

Tifozi special “Ishte një tifoz që na ndjek edhe me skuadrën e Akhmat Groznit, prandaj në fund i dhashë edhe fanellën”.

Trajneri Reja “Ka ndryshuar shumë gjëra, trajnerin kemi 10 ditë që e njohim. Të gjithë e dimë eksperiencën e trajnerit, ka qenë në ekipe shumë të mira, por skema që po luan trajneri ishte pozitive. Ne fituam dhe kur fiton nuk ke çfarë thua”.

Përshtatja me sulmuesit “Unë kam një kohë më shumë se 10 vjet që luaj me të gjithë sulmuesit, njihemi nga U15 si me Cikalleshin, Bekimin apo Sadikun. Puna ime është të bëj gol ose të jap asist, pavarësisht sulmuesit”.

Rivalët e grupit Si Islanda, Turqi dhe Franca, janë ekipe shumë të mira. Kemi ndeshje të vështira në shtator kundër Francës dhe Islandës. Ndeshja e parë në Francë shumë e vështirë, kundër kampionëve të Botës. Duhet të japim më të mirën, pastaj se çfarë ndodh në fushë është gjë tjetër”, tha Roshi.