Ronaldo ftoi De Ligt te Juventus, Barcelona i përgjigjet me “presidentin” Pike

Telenovela De Ligt vazhdon të mbajë ende në ankth Juventusin, edhe pse ka një akord me futbollistin e përfaqësueses holandeze, i cili ka shkëlqyer që në moshë të re në radhët e Ajaksit. Sipas mediave italiane, juventinët po nguten që të mbyllin sa më shpejt gjithçka, për të evituar surpriza, pasi me sa duket Barcelona nuk ka hequr dorë nga mbrojtësi, ashtu si PSG.

Katalanasit mendohej se ishin tërhequr nga gara për të, pasi nuk kishin ndër mend që ta paguanin rrogën që i afrohej apo kalonte 10 milionë eurot në vit, siç është e gatshme skuadra italiane. Kjo e fundit kishte “tunduar” De Ligt me një ftesë direkte në fushë nga Kristiano Ronaldo dhe një gjë të ngjashme duket se kanë bërë edhe katalanasit, pas një takimi që De Ligt kishte me “presidentin jozyrtar”, Zherard Pike.

Si holandezi, ashtu edhe futbollisti spanjoll janë me pushime në Bahamas me familjet përkatëse dhe sipas “Mundo Deportivo” janë takuar atje dhe kanë diskutuar bashkë rreth të ardhmes së lojtarit. Pike është ai përkrah të cilit De Ligt do të luante nëse do të zgjidhte katalanasit si dhe ka një peshë shumë të madhe në klubin ku edhe sponsori zyrtar është afruar falë lidhjeve personale që ka krijuar ai. Ndaj takimi mes palëve nuk duhet cilësuar kurrë si një shkëmbim rastësor, pasi pesha e Pike te Barcelona është shumë më e madhe se thjesht roli i tij në fushën e lojës.

Në këtë këndvështrim e shohin edhe në Spanjë, ku janë të bindur se Pike është munduar që të bindë De Ligr t’i thotë “po” një oferte më të ulët ekonomike, por që do ta ndihmonte më shumë si futbollist. /vipsport.al/