Roma i përgjigjet Totit: Fantazi, urojmë të mos jetë tentativë për të blerë klubin

Vendimi i Françesko Totit për t’u larguar nga klubi i Romës ka qenë ngjarja e ditës në Itali, ku padyshim të gjithë kanë mbetur të çuditur nga deklaratat e ish-flamurit të vardhekuqve i cili shprehej hapur kundër drejtuesve të cilët sipas tij donin të largonin romanistët nga klubi. Normalisht, nuk ka vonuar edhe deklarata e vetë klubit i cili i është kundërvënë ish-kapitenit për këto akuza.

“Jemi shumë të mërzitur pasi kemi mësuar se Françesko Toti ka lajmëruar se do të largohet nga klubi dhe të mos marrë postin e drejtorit teknik te Roma. Ia kishim propozuar këtë post pas largimit të Monçi dhe ishim ende në pritje të një përgjigje.

Ishim të gatshëm të tregoheshim të duruar me Françeskon dhe ta ndihmonin të vinte në zbatim këtë transformim nga lojtar i madh në drejtues i madh. Mendonim se në këtë rol do të rritej dhe ishim të gatshëm ta mbështetnim gjatë fazës së përshtatjes. Megjithëse e kuptojmë se sa e vështirë ka qenë për të të largohet nga Roma pas 30 vitesh, nuk mund të mos mendojmë se perceptimi i fakteve prej tij sa i përket zgjedhjeve e vendimeve të klubit, ishin fantazi dhe larg realitetit.

Sa i përket përsëritjes së tij të vazhdueshme rreth një kthimi të mundshëm me pronarë të tjerë, bashkë me informacionet e mbledhura prej tij në gjithë botën sa i përket personave të interesuar për klubin, urojmë që kjo të mos jetë një parapritje e papërshtatshme e tentativës së blerjes së klubit. Skenar që mund të jetë shumë delikat pasi Roma kuotohet në bursë. Shoqëria nuk ka ndër mendje të nxjerrë në shitje Romën, tani apo në të ardhmen”, shkruhej në komunikatën e klubit. /vipsport.al/