Rikthimi i Bufon te Juventusi, menaxheri i portierit shton dyshimet

Edhe pse në moshën 41-vjeçare, Xhanluixhi Bufon është i bindur për të nisur një tjetër sezon në rolin e portierit. Italiani, sezonin e fundit ishte pjesë e PSG, teksa i dha lamtumirën Juventusit pas 17 viteve. Megjithatë, Bufon dhe parisienët vendosën të ndanin rrugët, ndërsa gardiani tashmë po kërkon një klub të ri.

Ofertat për Bufon nuk kanë munguar, si nga klubet italiane por edhe nga ato jashtë kontinentit europian. Megjithatë, ditën e djeshme ka qarkulluar lajmi surprizë se portieri do të kthehet sërish te klubi i tij i zemrës, Juventusi. Bufon është i gatshëm të pranojë edhe rolin e portierit të dytë te bardhezinjtë, teksa Shezni do të vazhdojë te jetë numri një. Një marrëveshje njëvjeçare mes portierit dhe Zonjës së Vjetër, teksa më pas Bufon do të përgatitej për të marrë një post drejtuesi në klub.

Sakaq, ka folur edhe menaxheri i gardianit Silvano Martina, i cili ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit te Juventusi. “ Tani për tani është thjesht një ide”, ishin fjalët e menaxherit, i cili ka shtuar edhe më shumë dyshimet për të parë edhe një herë Bufon duke mbrojtur kuadratin e bardhezinjve.

/Egi Çabeli-VipSport.al/