Reportazhi / 95 minutat e Edi Rejas. Thuajse pushtoi fushën, kritika për Ramadanin pas golit dhe në fund e mbyll me përqafime

Edi Reja ka provuar të martën në darkë shijen e fitores së tij të parë në pankinën e përfaqësueses shqiptare. Erdhi jo pa vështirësi përballë një Moldavie e cila u tregua kockë e fortë dhe rezistoi deri në fund, duke bërë që trajneri të përjetonte një natë jo pa tension në debutimin e tij përballë tifozërisë në vendin tonë.

Ishte e qartë që Reja kërkonte me ngulm fitoren e sidomos të shihte ekipin të bënte atë që kishte kërkuar gjatë stërvitjeve. Kështu, që nga vërshëllima e fillimit të ndeshjes e deri në atë të fundit të saj, trajneri nuk u ul asnjëherë, duke qëndruar në kufijtë e zonës teknike para pankinës e shpesh jashtë saj.

Në fakt, ai nuk ngurroi shpesh të shkonte thuajse deri në pjesën kundërshtare, duke bërë që gjyqtari i katërt t’i kujtonte se mund të ndëshkohej.

Por Reja vazhdoi punën e tij, duke mos ngurruar disa herë të bëhej gati edhe të hynte në fushë, i përfshirë nga udhëzimet e këshillimet që u jepte lojtarëve të veçantë.

Sinjalizime për pasime, si të vazhdonin aksionin, duartrokitje për tentativat drejt portës apo pasimet e sakta në zonë, Reja ishte i pandalshëm në cepin e tij, i ndërprerë rrallëherë vetëm nga asistenti italian Porrini.

Ky i fundit ngrihej çdo 10 minuta dhe sinjalizonte trajnerin për pozicione të lojtarëve të veçantë apo ritmin e tyre, për ta ndihmuar për zëvendësimet që do të bënin më pas.

Ndërsa ndihmësit shqiptarë, Salihi e Bulku, ishin ata që u shpjegonin lojtarëve të stolit ato që kërkonte trajneri sapo të futeshin në fushë. Ndodhi si me Roshin e Çikalleshin, ashtu edhe me Qosen, edhe pse këtë të fundit e harruan për disa çaste dhe Reja filloi t’i fliste italisht, me mesfushorin që qartësisht nuk po kuptonte asgjë derisa ndërhyri Salihi për të qartësuar udhëzimet.

Më pas ankth, shumë ankth deri te goli i parë, ku më në fund ai u përqafua me stafin e lojtarët pranë tij, për të vazhduar të bënte “dirigjentin”. Përqafime edhe për Kaçen kur doli nga fusha e lojës, por jo për Sadikun e Lenjanin të cilët vrapuan menjëherë drejt pankinës.

Kishte edh protesta, jo vetëm për pretendimet për penallti, por edhe kur pa 5 minuta në tabelën elektronike për shtesën. “Çfarë ka ndodhur që të jenë 5 minuta” i tha ai gjyqtarit të katërt, dukshëm i nervozuar. Por ai nervozizëm u kthye në festë pasi pak çaste më vonë, Ramadani do të vuloste takimin me golin e dytë.

Festë pranë pankinës e lojtarëve, të cilëve Reja nuk iu afrua, por takoi dhe përqafoi veçmas Ramadanin para se ky i fundit të kthehej në fushë. Ai i tërhoqi veshin për disa çaste se kishte hequr fanellën duke marrë një karton të verdhë, me mesfushorin që e pranoi duke ulur kokën.

Më pas, vërshëllima përfundimtare e pa atë të përqafonte me radhë çdo lojtar e pjesëtar të stafit që kishte në pankinë, nga i pari te i fundit, duke iu kthyer më pas atyre që ishin në fushë, të cilët i përshëndeti po me shumë përzemërsi para se të futej në ambientet e brendshme të stadiumit, me siguri edhe për të pushuar pak pas 95 minutash të kaluar në këmbë. /vipsport.al/