Reportazh / Yjet e kombëtares dhe Superiores, nën urdhrat e “Peqos” superskuadra që ka braktisur pushimet

Sabien Lilaj, Kristal Abazaj, Bruno Dita, Erion Hoxhallari, Eni Imami dhe Hektor Idrizaj. Një rreshtim i denjë për çdo klub me shumë pretendime të Superiores, të gjithë janë në stërvitje duke dëgjuar me kujdes udhëzimet e trajnerit para tyre, të gjithë të vëmendshëm në çdo lëvizje, në çdo ushtrim që u kërkohet të kryejnë. Thuajse të gjithë janë ende teorikisht me pushime, thuajse të gjithë nuk e tregojnë një gjë të tillë duke zbatuar me përpikmëri çdo udhëzim të trajneri që nuk i përket asnjë skuadre në fakt, “Peqos”.

“Peqo” nuk është askush tjetër veç Roland Peqinit, ish-futbollistit të njohur në Superiore, i cili ka veshur për shumë vite me sukses fanellat në klube si Dinamo, Kukësi e Tirana mes të tjerash, pa harruar këtu edhe përfaqësueset e moshave. Dikur një nga mbrojtësit e djathtë më të spikatur në Superiore, Peqini ka vendosur që në moshën 27-vjeçare t’i jepte fund futbollit të luajtur për të nisur një karrierë të re që e lidh përsëri ngushtë me këtë sport, një profesion pak i njohur në Shqipëri për futbollin profesionit, ai i trajnerit personal. Prej një viti Peqini ushtron me sukses këtë profesion në vendin tonë dhe ka ndër klientët e tij elitën e futbollit shqiptar.

“Ndoshta të largohesha nga futbolli i luajtur ishte zgjedhja më e mirë që kam bërë, pasi në këtë profesion të ri kam gjetur veten. Kam pasur fatin të punoj me shumë trajnerë të shkëlqyer gjatë karrierës time në Superiore dhe kam mësuar shumë gjëra prej tyre. Me këta futbollistë me të cilët punoj, kaloj këtë eksperiencë, por edhe atë që mësoj vazhdimisht me kualifikimet që ndjek prej një viti në Itali për këtë lloj profesioni dhe për punën në palestër përtej asaj në fushë”, shpjegon Peqini për “Vip Sport”.

Kjo shihet qartë në mënyrën se si zbatojnë me vëmendje udhëzimet emrat që shfaqen thuajse çdo ditë në një nga fushat stërvitore pranë Liqenit Artificial. Ushtrime fizike dhe me topin të lojtarëve të cilët duan të qëndrojnë në formë ndërsa presin të kthehen në aktivitet me klubet përkatëse, apo në pritje të firmës me një klub të ri, siç është rasti i Lilajt i cili pret telefonatën për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Por jo vetëm këta. Në ditët e fundit nën urdhrat e “Peqos” janë vënë edhe shumë të tjerë si Roshi, Balaj, Hyka apo Asani, të gjithë që kanë gjetur këtë si mënyrën e duhur për të qenë gati për sezonin e ri.

“Jemi miq me të cilët kam pasur fatin të punoj edhe si futbollist. Jemi njohur gjatë karrierës dhe është kënaqësi më e madhe kur punoj me ta. Por nuk janë të vetmit, janë edhe shumë të tjerë që janë interesuar për diçka të tillë”, shpjegon Peqini i cili pranon se nuk e priste deri diku këtë interesim në vendin tonë. “Kam telefonin mbushur me mesazhe dhe kërkesa. Fatkeqësisht nuk arrij dot t’i kënaq të gjithë. Klube? Jo, për momentin me klube nuk kam punuar, thjesht me lojtarë të cilët më kanë kërkuar ndihmë që të qëndrojnë në formë apo të riaftësohen”.

Në fakt, shihet që atmosfera është ndryshe nga ajo e një stërvitje të zakonshme futbollistësh. “Lojtarët me pushime” duket sikur impenjohen më shumë se në stërvitjet e tyre edhe në një ushtrim me rreth dhe përpiqen të zbatojnë pa gabime çdo lëvizje që u kërkohet. “Çdo gjë për t’i bërë gati”, thotë Peqini, i cili gjithsesi nuk harron anën kryesore të çdo përgatitje, argëtimin. Në fakt gjatë stërvitjes, dëgjon batuta nga më të ndryshmet, si kur i thonë Lilajt të dalë nga fusha e të shkojë që sot të nënshkruajë se nuk ka pse stërvitet më, apo ngacmimet për klubet përkatëse.

Një orë intensive mes batutave e cila mbyllet me sfidën e gjuajtjes nga distanca të traversës. Dy skuadra, sfida dhe thumbime pa fund si dhe oferta për “Peqon” që të nënshkruajë këtë vit me ndonjë ekip sa herë që gjen objektivin. Nga njëra anë Abazaj, Hoxhallari e Imami. Nga tjetra Peqini, Lilaj dhe Dita. Duel që zgjidhet me gjuajtjen e fundit të saktë të Imamit. Festim alla-Dibala dhe më pas vrap drejt dusheve dhe kafenesë, ku lënë takim për të nesërmen, në një tjetër “ditë pushimi” nën urdhrat e “Peqos”… /vipsport.al/