Raiola luan shah me portierët, Donaruma përfundon te PSG-ja

Mino Raiola po shfrytëzon kohën që i ka mbetur në dispozicion derisa të hyjë në fuqi vendimi ndërkombëtar i FIFA-s për pezullimin e tij që të mbyllë sa më shpejt çdo lloj marrëveshje të mundshme që ka “gatuar” në këto kohë,

Një prej tyre, sipas “Sky Sport” në Itali, është shkëmbimi që po planifikon mes Milanit dhe PSG-së. Menaxheri ka nisur bisedimet mes të dy palëve të interesuara për të bërë një “rokadë” në portë. Menaxheri po bën ndërmjetësin për të dërguar Xhixho Donarumën te PSG dhe për të sjellë në Milano Alfons Areolën.

Një lëvizje që në një farë mënyre do të kënaqte të gjitha palët. Milani do të shpëtonte nga rroga dhe kërkesat gjithnjë në rritje për portierin italian që ka Raiola. Nga ana tjetër, do të merrte një portier cilësor si Areola i cili është në xhiron e përfaqësueses së Francës. PSG do të gjente një gardian të ri për shumë vite në vijim, një zgjidhje që ka kërkuar pa shumë sukses prej kohësh.

Problemi është te vlerësimi i të dyve dhe shifra që duhet të shpenzojë PSG për këtë marrëveshje, pasi Donaruma vlerësohet 50 milionë euro ndërsa Areola rreth 30 milionë euro. Negociatat vazhdojnë, por në Itali janë të bindur se “rokada” mes të dyve mund të kryhet shumë shpejt. /vipsport.al/