PSG zëvendëson Alvesh me mbrojtësin e Barcelonës, katalanasit kërkojnë përfshirjen e Nejmar

Para pak ditëve, Dani Alvesh zyrtarizoi vendimin se sezoni që lamë pas ishte i fundit për të në Paris. Mbrojtësi brazilian pas dy viteve në kryeqytetin e Francës, tashmë do të kërkojë një eksperiencë të re, me shumë mundësi në Premier League duke qenë se është një kampionat të cilin nuk e ka provuar. Ndërsa, nuk përjashtohet edhe një rikthim në Brazil.

Megjithatë, tashmë Alvesh është një temë e mbyllur për skuadrën e PSG, e cila ka detyrimin për të mbuluar hapësirën e lënë bosh nga largimi i 36-vjeçarit. Një ndër emrat për të cilin parisienët interesohen, është ai i Nelson Semedos të Barcelonës. Pikërisht, aksi Paris-Barcelonë pritet të prodhojë shumë lëvizje në këtë sezon, ndërsa në tratativa nuk mungon as e ardhmja e Nejmar.

Megjithatë, PSG është e përqendruar për momentin te pista Semedo për të zëvendësuar Alvesh. Ndërkohë, situata dhe marrëdhënia mes klubit francez dhe atij spanjoll do të varet nga sjellja e PSG në rastin Nejmar. Nëse, katalanasit gjejnë mirëkuptimin e kampionëve të Francës, për të mos ndërlikuar rikthimin e Nejmar në ‘Camp Nou’, atëherë edhe çështjet e tjera të merkatos mes dy klubeve do të mbyllen me mirëkuptim.