PSG u mundua ta bindte me një xhiro me makinë, De Ligt zgjodhi Juven prej milionave

Pritet vetëm zyrtarizimi, por duket se Matijs De Ligt do të bëhet shumë shpejt një futbollist i Juventusit, për t’ia bashkuar atje Kristiano Ronaldos në objektivin për të fituar Ligën e Kampioneve. Kapiteni 19-vjeçar i Ajaksit ndiqej me vëmendje nga klubet më të mëdha në Europë, por në fund garën e ka fituar Juventusi, i cili ka insistuar më shumë sa i përket aspektit financiar të marrëveshjes me lojtarin, ndërsa PSG ishte munduar ta tundonte nëpërmjet të dashurës së tij.

Në ditët e fundit u bë e qartë se në garë për De Ligt kishin mbetur vetëm Juventus dhe PSG, parisienët menduan se do ta kishin të thjeshtë të bindnin lojtarin duke tunduar të dashurën e tij, modelen Aneke Molenar. Parisienët i organizuan një uidhëtim nëpër qytet me një makinë luksoze me xhama të zinj, bashkë me nënën e lojtarit, për ta bindur që të bëhej pjesë e projektit në këtë qytet. Modelja udhëton shpesh drejt Parisit për sfilata dhe mundësia për të jetuar në një zonë luksoze të qytetit siç i ofrohej, ishte shumë tunduese.

Por Juventusi mori situatën në dorë, i sinjalizuar nga menaxheri Mino Raiola. Bardhezinjtë bënë një ofertë të parefuzueshme ekonomikisht për lojtarin, duke i vënë përpara një rrogë prej 7 milionë eurosh në sezon, me 5 të tjera që mund të arrihen lehtësisht në bazë të numrit të ndeshjeve e objektivave. Kjo rrogë është sa trefishi i asaj që do të përfitojë De Jong te Barcelona në fillimet e tij dhe e bën futbollistin e dytë më të paguar në Itali, i kaluar vetëm nga Kristiano Ronaldo.

Pikërisht portugezi është një shtysë më shumë për të firmosur me Juventusin. Raiola ka bindur lojtarin se duke e pasur përballë në stërvitje çdo ditë, do të mësojë se si të mbrojë ndaj lojtarëve të këtij kalibri, për t’u kthyer shpejt në mbrojtësin më të mirë në botë. Ndaj tani të gjithë presin vetëm firmën në kontratë, sapo të finalizohet shitja për 70 milionë euro nga Ajaks, pasi të gjithë janë të bindur se që në fillimin e muajit korrik, De Ligt do të jetë futbollisti i Juventusit. /vipsport.al/