PSG merr goditjen e radhës nga futbollistët, Mbape refuzon të rinovojë kontratën

PSG po përballet me një situatë mjaft të çuditshme duke qenë se po shpenzon miliona euro për të fituar trofe ndërkombëtarë, por nuk po arrin. Sikur të mos mungonte thatësia në Europë, tashmë PSG po përballet edhe me kundërshtimin e futbollistëve të saj për të rinovuar kontratat e tyre dhe që duan të largohen.

Pasi Rabiot qëndroi në pankinë për muaj me radhë se nuk pranoi të rinovonte, ishte radha e Nejmarit për të kërkuar largimin në mënyrë që të firmosë me Barcelonën. Palët janë ende në bisedime, ndërkohë që PSG tashmë po përballet me një tjetër problem dhe është Kilian Mbape ai që ka dalë kundër klubit.

Ylli francez për të cilin PSG shpenzoi 180 milionë euro ka refuzuar të rinovojë kontratën e tij, duke shprehur dëshirën për t’u larguar në drejtim të Real Madridit. Gjithçka është shumë e vështirë dhe thuajse e pamundur të ndodhë këto kohë pasi PSG kërkon shifra të konsiderueshme për yjet e saj, ndërkohë që Realit i duhet të presë për të mësuar se çfarë do të ndodhë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/