PSG ia nxjerr nga hundët Nejmar “tradhtinë”, çmimi i kartonit tremb Realin e Barçën

“Dua të kthehem në shtëpi, nga ku nuk duhej të isha larguar asnjëherë”. Kjo është fraza e cila sipas mediave spanjolle i ka vënë kapak bisedës mes Nejmar dhe Al Khelaifit sa i përkiste kthimit të brazilianit te Barcelona. Por pikërisht kjo “tradhti” ndaj PSG që kishte investuar qindra milion euro për ta afruar, ka bërë që te parisienët të mendojnë një mënyrë për t’u hakmarrë që do të mbajë në ankth sulmuesin.

PSG ka luajtur kartën e saj më të fortë, atë të klauzolave në kontratë. Francezët nuk vendosin kurrë të tilla, në mënyrë që të kenë në kontroll të plotë transferimet e yjeve të tyre e të refuzojnë pa problem këdo që ua kërkon. Një e tillë nuk është as në kontratën e Nejmar ndaj drejtuesit kanë vendosur që lojtarin të cilin e blenë për 222 milionë euro, tani të kërkojnë ta shesin për 300 milionë.

“Le Parisien” bën të ditur se ky është çmimi i kartonit për këdo që do ta blejë, pasi PSG mendon që të rikuperojë paratë e shpenzuara për transferimin dhe rrogat e tij në këto dy vite, meqë lojtari dëshiron të largohet.

Një shifër e tillë tremb të dy klubet që e ndiqnin me interes, Barcelona dhe Real Madrid. Barcelona as që i afrohet një shume të tillë. Katalanasit ishin gati të paguanin 100 milionë euro dhe të përfshinin në marrëveshje emra si Umtiti, Rakitiç e Dembele. Por kur bëhet fjalë për të paguar 300 milionë euro, Barcelona nuk ka mundësitë të paguajë një shifër të tillë.

Ndërkohë, Reali ka shpenzuar gjatë kësaj vere deri tani një shifër të përafërt ndaj as që mendohet se mund të bëjë një shpenzim të tillë, edhe nëse merr lojtarin me të drejtën e blerjes për vitet e ardhshme apo shpërndan pagesën ndër vite. Me pak fjalë, nëse PSG nuk ul pretendimet, Nejmar do të mbetet “i burgosur” në radhët e klubit me pak mundësi për t’u larguar, edhe pse ka bërë të qartë se nuk dëshiron të jetë më pjesë e këtij ekipi. /vipsport.al/